Monday, January 10, 2011

Plehrat në Rradhë…




Të dashur miq, plehrat që shikoni në këto foto nuk janë plehrat e vërteta… ju siguroj që ato ndodhen të ulura nëpër zyrat e administratave tona ndërsa ato më të rrezikshmet, radioaktivet, ndodhen brënda kazanit të madh që ne e quajmë në gjuhën e përditëshme parlamenti, por që të parët tanë i thërrisnin kuvendi.

Eshtë vështirë që plehrat të pastrojnë plehrat. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, veç se t’iu bëjmë me dije se shqiptarët nuk e kanë për zakon të jetojnë nëpër mjedise të pista, dhe gjithë pisanjosët që mendojnë të kundërtën, gabohen rëndë, pasi do të habiten me reagimin spontan të shqiptarëve që nuk duan e nuk do duan kurrësesi ta pranojnë të udhehiqen nga ky kazan i madh që na ka zaptuar.

Edhe ata europianë që mendojnë se në Shqipëri mund të hedhin plehrat e tyre gabojnë rëndë, sepse kanë rënë dakord me plehrat jo me shqiptarët. Ata e dinë fort mirë se çfarë kontigjenti bijsh e bijash u kemi prezantuar, por kemi dëgjuar mbrapsht  vetëm pasthirma  negative. Shumë pak fjalë të thëna për vitalitetin shqipëtar në Europën e plakur, kontribut ky i pakundërshtueshëm dhe i sinqertë. Ku është parë e dëgjuar ndonjëherë që të merret si shembull i keq -- duke u nisur nga shembujt fatëkeqë të gazetarëve sharlatanë --  kjo gjeneratë e larmishme mbushur me energji, që diti dhe përsëri po din ti mbushë qytetet europiane me ngjyrat e mrekullueshme të një kulture të lashtë sa vetë kontinenti. E pra, njerëzit që bien erë me sa duket janë ata që mbushin letrat në menyrë të fshehtë me plehra e çfarë plehrash… Ata i gjejmë me shumicë si tek ne ashtu edhe në anën tjetër të Adriatikut. Por mos mendoni se ata  do fitojnë. Këto janë vetëm fitore të përkohëshme të së keqes. Plehrat që ndotin ambjentet tona si natyrale ashtu dhe sociale do të pastrohen një ditë… E çfarë verbërie na qënkërka kjo? A nuk mundet vallë cilido të marrë me mend se nuk ka mundësi riciklimi për plehrat në këtë vend?

Miq, historia njerëzore është e shkruar me vuajtje e mundime të mëdha ,dhe ne prandaj jemi pjesë e saj, që të dukemi, të marrim pjesë dhe të japim sadopak nga vetja jonë në këtë kacafytje të madhe. Kadareja na e tregon me mjaft mjeshtëri se ç’mendojnë  plehrat në të vertetë:
“Kështu jemi ne.
Ndaj s’keni pse të na qani e as ta keni peng. E aq më tepër, të  prisni t’u shfaqemi si hije mesjetare, sipër pirgjesh a muzeumesh, për t’u kërkuar bijve të marrin gjak për ne. Ne kemi qënë etër të pamundur, ndaj s’mund të kishim veç gra, bij dhe bija të pamundura.
Mos vrisni mëndjen të gjeni ku gabuam. Ne jemi vetë pjellë e një gabimi në rendin e madh të botës. Dhe ashtu siç u pollëm gabimisht, në varganë të nëmur, njëri pas tjetrit, kush një hap më para, kush më pas, kush prijës e kush pasardhës, u vumë në rradhë, midis shkrumbit e gjakut, për të mbërritur tek ju…”

Kështu pra, në zbrazëtirën e shpirtërave të tyre, këta plehra nuk njohin as vëlla e as motër. Do na duhet ne që ta pastrojmë vendin tonë nga plehrat, e ndoshta ti zbrazim ato në zbrazëtirën e shpirtërave që ende shtyhen në rradhë për të zotëruar pak më shumë makutëri…




1 comment:

Anonymous said...

te kesh informacionin qe vendi yt ne te ardhmen do te jete koshi me i madh i mbetjeve me rrezikshmeri te larte per shendetin ne europe , dhe te mos besh asgje per kete , kjo eshte teper e trishte