Kur kollona të gjata të rinjsh, heronjtë e vërtetë shqiptarë, me shpirtin e sakrificës bënë përpara nëpër dete e nëpër rrugët e europës- duke u kultivuar nëpër stacione trenash e duke ngrënë më shumë thonj se bukë-, për të sjellë pak shpresë tek vatrat e tyre, të mallkuarit zbrisnin nëpër aeroportet e europës, të majtë e të djathtë të kapur dorë për dore, bashkë me babëzinë.
Të mallkuar djalli:
Merrini edhe këto kufoma, dhe kyçini nëpër kasafortat tuaja krematoriume,sepse ju nuk ngopeni kurrë. Ju jeni humnerë babëzie. Me kokat e mbushura me baltë dhe me duart e shëmtuara, na ndotët vatrat, duke diskutuar gjithë zjarr se nga erdhën plumbat!!
Po zjarri i vërtetë, i dhimbjes së nënave e motrave që qajnë bijtë, nuk pyet hiç se nga erdhën plumbat. Zemrat e tyre e dinë që plumbat erdhën nga tryeza krokodilësh, nga njerëz që pijnë lëngje krokodilësh…
Po, po, këtu kam lindur unë, në vendin e zdërhalljes, ku të mallkuarit po çojnë pëpara traditën e paraardhësve të tyre, ku analistë e gazetarë të përqafuar me prokurorë e gjykatës, zgërdhihen duke ngrënë mish rreth e qark Tiranës, ku punonjësit e administratës publike bëhen si miza para mik-shefit që i siguroi vendin e punës, e pastaj ciklopë kur fshatari e qytetari i varfër zvarritet deri tek zyrat që ata i mendojnë të tyret.
Ngjan sikur jemi duke u kacafytur çdo çast me bisha të padukshme, sikur paqja, mirësia e dashuria na qënkërkan vetëm një përqasje virtuale.Të vjen të nxjerrësh zorrët kur flitet për ”rrugë strategjike” e galaktike, në një kohë kur nuk kalojmë dot nëpër vijat e bardha. Të vjen të nxjerrësh zorrët , kur nisesh për në fshat e gjen rrugës mbeturina të hedhura që ngjajnë si të vjella jashtëtokësorësh, ( ose të vjella parlamentarësh…)
Antimorali ka shkuar aq larg, sa mjaft të kesh një vend pune, dhe mund të marrësh pjesë qetësisht në bandën e karkalecave, që shkaktojnë vetëm dëme në arë.
Të mallkuar djalli, ju jeni shërbëtorët tanë:
Që do të thotë se duhet të na shërbeni, dhe jo të na vrisni!
paint by kakzozët © |
No comments:
Post a Comment