Thursday, January 27, 2011

“Unë, Ambasadori Amerikan” & "Matrix"

Ndoshta shekujt as emrin s'ja përmendin, "Atje tej…" – thonë, por mua më caktuan këtu, në këtë vend të çuditshëm që se kuptoj. Po po, mos u habisni që smarr vesh gjë.... Që nga rendi fisnor patriarkal këta njerëz u vonuan për të dalë në skllavopronari, e pastaj prapë u vonuan për në feudalizëm. Nuk e fituan pamvarësinë veçse 100 vjet më vonë se të tjerët rreth e rrotull dhe pas vuajtjeve të tmerrshme që hoqën paskëtaj, në shekullin e kaluar, përsëri s'dinë të ngrenë një shtet demokratik.

E kush i kupton! Më në fund më dhanë të drejtën e matrix. Sot i qetë do studijoj gjithçka, ndërsa gjithçka do të ngrijë përpara meje. Para se të nisesha shefi më rrahu shpatullat e më dha një zarf duke më thënë: Kjo është e rëndësishme, mos e harro. Aty ishte shkruar: Në opinione nuk duhet të mbështetesh, por kur të ti kerkojnë ti jepua.

Dhe ja sot erdhi çasti. Më dhanë të drejtën e matrix. E gjithë Tirana e bashkë me të dhe Shqipëria kanë ngrirë e presin opinionin tim. E ç'ti them unë, kur nuk marr vesh gjë prej gjëje nga ky popull?! Nuk ka fare rëndësi – më thanë. - Ti ke të drejtën e matrix, ata të gjithë i ke të ngrirë e ti do i drejtosh i qetë. Ta themi midis nesh: (do kisha më tepër dëshirë të gjeja atë bjonden me fustan të kuq brënda matrix-it, sa këto fytyra të turbullta, djallëzore që më duhet të takoj, po ja që detyra mbi të gjitha).

E ndërsa unë, ambasadori amerikan duke udhëtuar i qetë, po mendoja të gjitha këto, nga xhamat e makinës sime, hasa në veshtrimin e një djaloshi në rrugë. Sigurisht që dhe ai kishte ngrirë si të gjithë të tjerët, por sytë e tij çuditërisht më ftonin të shikoja lart. Dhe unë e ngrita kokën... Qielli nuk ishte as i zymtë, as i kaltër, as i lartë; nuk kishte qiell fare! Në vend të tij pashë një zog të ngrirë lart me krahët hapur për fluturim, si një monument lashtësie. E kuptova në çast se përveç të tjerash kishte ngrirë edhe shpresa... Ula përsëri sytë, e i thashë shoferit: Jepi mik, drejt godinave qeveritare. Makina u vërsul përpara në rrugën e ngrirë, ndërsa mua mu duk vetja si një cowboy i vertetë.

Tuesday, January 25, 2011

Të Mallkuarit

Ndërsa ne po përpiqemi të sjellim pak shpresë e paqe për vendin e për fëmijët tanë, ashtu, me hapa të ngadaltë e me haleluja në zemër, të mallkuarit prapa xhamave të errët të makinave, me fytyrat që u kullojnë yndyrë, hapin harta e vjellin vrer në celularët e tyre, e pastaj urinojnë sipër hartave.


Kur kollona të gjata të rinjsh, heronjtë e vërtetë shqiptarë, me shpirtin e sakrificës bënë përpara nëpër dete e nëpër rrugët e europës- duke u kultivuar nëpër stacione trenash e duke ngrënë më shumë thonj se bukë-, për të sjellë pak shpresë tek vatrat e tyre, të mallkuarit zbrisnin nëpër aeroportet e europës, të majtë e të djathtë të kapur dorë për dore, bashkë me babëzinë.

Të mallkuar djalli:

Merrini edhe këto kufoma, dhe kyçini nëpër kasafortat tuaja krematoriume,sepse ju nuk ngopeni kurrë. Ju jeni humnerë babëzie. Me kokat e mbushura me baltë dhe me duart e shëmtuara, na ndotët vatrat, duke diskutuar gjithë zjarr se nga erdhën plumbat!!

Po zjarri i vërtetë, i dhimbjes së nënave e motrave që qajnë bijtë, nuk pyet hiç se nga erdhën plumbat. Zemrat e tyre e dinë që plumbat erdhën nga tryeza krokodilësh, nga njerëz që pijnë lëngje krokodilësh…

Po, po, këtu kam lindur unë, në vendin e zdërhalljes, ku të mallkuarit po çojnë pëpara traditën e paraardhësve të tyre, ku analistë e gazetarë të përqafuar me prokurorë e gjykatës, zgërdhihen duke ngrënë mish rreth e qark Tiranës, ku punonjësit e administratës publike bëhen si miza para mik-shefit që i siguroi vendin e punës, e pastaj ciklopë kur fshatari e qytetari i varfër zvarritet deri tek zyrat që ata i mendojnë të tyret.

Ngjan sikur jemi duke u kacafytur çdo çast me bisha të padukshme, sikur paqja, mirësia e dashuria na qënkërkan vetëm një përqasje virtuale.Të vjen të nxjerrësh zorrët kur flitet për ”rrugë strategjike” e galaktike, në një kohë kur nuk kalojmë dot nëpër vijat e bardha. Të vjen të nxjerrësh zorrët , kur nisesh për në fshat e gjen rrugës mbeturina të hedhura që ngjajnë si të vjella jashtëtokësorësh, ( ose të vjella parlamentarësh…)

Antimorali ka shkuar aq larg, sa mjaft të kesh një vend pune, dhe mund të marrësh pjesë qetësisht në bandën e karkalecave, që shkaktojnë vetëm dëme në arë.

Të mallkuar djalli, ju jeni shërbëtorët tanë:

Që do të thotë se duhet të na shërbeni, dhe jo të na vrisni!

paint by kakzozët ©


Wednesday, January 19, 2011

Unë Jam Qese


Ne qeset nuk po kalojmë një jetë të vështirë. Në fillim ishte krejt ndryshe… Kur na programuan na thanë se jeta jonë do të ishte e shkurtër. Pasi të na mbushnin me lloj e soj produktesh për njerëzimin, do të na groposnin diku ose do të na riciklonin. Kështu u tha në përurimin tonë të madh.

Një nga burrat që rrinë me gërshërë në xhep preu shiritin dhe mijëra shkrepëtima shpërthyen në çast, ndërsa ne na zuri gjumi… Pastaj u futa në botën e ëndërrave. Nëpër supermarkete nga më luksozet  më drejtoheshin me mijëra shikime admirimi, ndërsa unë gati sa nuk ulërija nga gëzimi. Lëre pastaj ato kujtime grash të mrekullueshme që teksa më vështronin, dalloja qartë në sytë e tyre dashurinë. Përfundova në një trastë të ngrohtë, e pastaj në një dollap me plot të tjerë si unë…

Por me sa duket jetës së ëmbël i erdhi fundi në një natë të ftohtë dimri kur më lëshuan brenda një kazani të errët. Me shpejtësi  na ngarkuan e na shpunë në një fushë të madhe grumbullimi, ku sipas fjalëve që dëgjova duhet të prisnim rradhën për udhëtimin tonë të fundit. Për fat të mirë nuk ndodhi ashtu. Një zë i thellë e kumbues urdhëroi të na ngarkonin shpejt së bashku me një sasi fuçish që prisnin në kamion dhe meqenëse ne kishim të drejtën e EWC (katalogu europian për mbeturinat), u lëshuam përpara pa frikë, në një natë të errët  ashtu siç u lëshuan grekërit e lashtë mbi Trojën pas kalit të tyre, ashtu siç i lëshoi kuajt Çiçikovi pasi kishte blerë frymët e tij të para të vdekura, ashtu si thikat që u vërsulën mbi gjoksin e Çesarit. Ne kishim mbrojtjen e pangopësisë që shtrihej anembanë vendit . Njerëzit me kapele që na ndaluan  rrugës, shtrëngonin duart me shoferin, sytë e tyre më kujtonin ato të grave nëpër supermarkete…

Brenda kamionit kishte plasur diskutimi. Jemi në një ngarkesë të mrekullueshme – u dëgjua një zë – , bashkë me fuçitë do të përfundojmë diku, në ndonjë shpellë, ashtu si dikur jetonin njerëzit e Neandertalit, a të groposura poshtë ne tokë, aty ku dikur fshatarët e thjeshtë te Campanias, Siçilias, Calabrias e Puglias kultivonin jetën, dhe nëse kemi akoma fat mund të na qëllojë edhe ndonjë qytet i lashtë antikiteti… Mos u mërzisni – ja priti një tjeter – nëse nuk gjejmë vend aty. Kam degjuar se do fillojë të hapet një rrugë e re: Albania. Ndoshta shkojmë atje. Albania? E ku na qënkërka kjo? – u degjua një i tretë. Nuk është larg. Vetëm se do na duhet të ngarkohemi nëpër anije ose trena, por vendstrehimi është i sigurtë : Albanezët janë të çmendur pas luksit.

Vajzat që dikur mbanin çelësat në qafë, tashmë paskan kërkesa të mëdha. Ndërsa meshkujt që dridhen përpara kofshëve të bukura që zgjatohen pas fundeve, janë të gatshëm për çfarëdolloj sakrifice. Mjafton një rritje rroge, një minifund, një udhëtim nëpër shitoret e europës dhe ata do vënë syzet e diellit e do shtrihen të marrin rreze sipër fuçive. Ndoshta diku, në zyrat e korporatave në Veneto a Lombardi – ku qindra e mijëra tonelata mbetjesh zhduken çdo vit në mënyrë ilegale – mund të dëgjohen të qeshura histerizmi të shoqëruara me gajasje grash, por nuk do qeshin hiç fshatarët e varfër shqiptarë, ashtu siç nuk po qeshin hiç vëllezërit e tyre nga Kampania, Siçilia etj. Instituti i higjienës në Itali shënon një rritje prej 21% e numrit të vdekjeve nga kanceri në Kampania, në qytetet ku riciklohen mbetjet toksike. Edhe frutat u sëmurën , peisazhi ndryshoi formë e ngjyrë...

E ndërsa brenda kishte plasur diskutimi, kamioni me targën e bashkimit europian – e atij bashkimi që duhet të marrë frenat e udhëheqjes në dorë – vërsulej përpara në terr. Unë megjithëse jam një qese, mendoja  se mos edhe një herë më buzëqeshte fati dhe e kapur pas ndonjë fuçie do të ndodheshim diku ... atje në Shqiperinë e largët, pranë ndonjë çadre plazhi, duke u buzëqeshur turistëve me syze dielli.

Monday, January 10, 2011

Plehrat në Rradhë…




Të dashur miq, plehrat që shikoni në këto foto nuk janë plehrat e vërteta… ju siguroj që ato ndodhen të ulura nëpër zyrat e administratave tona ndërsa ato më të rrezikshmet, radioaktivet, ndodhen brënda kazanit të madh që ne e quajmë në gjuhën e përditëshme parlamenti, por që të parët tanë i thërrisnin kuvendi.

Eshtë vështirë që plehrat të pastrojnë plehrat. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, veç se t’iu bëjmë me dije se shqiptarët nuk e kanë për zakon të jetojnë nëpër mjedise të pista, dhe gjithë pisanjosët që mendojnë të kundërtën, gabohen rëndë, pasi do të habiten me reagimin spontan të shqiptarëve që nuk duan e nuk do duan kurrësesi ta pranojnë të udhehiqen nga ky kazan i madh që na ka zaptuar.

Edhe ata europianë që mendojnë se në Shqipëri mund të hedhin plehrat e tyre gabojnë rëndë, sepse kanë rënë dakord me plehrat jo me shqiptarët. Ata e dinë fort mirë se çfarë kontigjenti bijsh e bijash u kemi prezantuar, por kemi dëgjuar mbrapsht  vetëm pasthirma  negative. Shumë pak fjalë të thëna për vitalitetin shqipëtar në Europën e plakur, kontribut ky i pakundërshtueshëm dhe i sinqertë. Ku është parë e dëgjuar ndonjëherë që të merret si shembull i keq -- duke u nisur nga shembujt fatëkeqë të gazetarëve sharlatanë --  kjo gjeneratë e larmishme mbushur me energji, që diti dhe përsëri po din ti mbushë qytetet europiane me ngjyrat e mrekullueshme të një kulture të lashtë sa vetë kontinenti. E pra, njerëzit që bien erë me sa duket janë ata që mbushin letrat në menyrë të fshehtë me plehra e çfarë plehrash… Ata i gjejmë me shumicë si tek ne ashtu edhe në anën tjetër të Adriatikut. Por mos mendoni se ata  do fitojnë. Këto janë vetëm fitore të përkohëshme të së keqes. Plehrat që ndotin ambjentet tona si natyrale ashtu dhe sociale do të pastrohen një ditë… E çfarë verbërie na qënkërka kjo? A nuk mundet vallë cilido të marrë me mend se nuk ka mundësi riciklimi për plehrat në këtë vend?

Miq, historia njerëzore është e shkruar me vuajtje e mundime të mëdha ,dhe ne prandaj jemi pjesë e saj, që të dukemi, të marrim pjesë dhe të japim sadopak nga vetja jonë në këtë kacafytje të madhe. Kadareja na e tregon me mjaft mjeshtëri se ç’mendojnë  plehrat në të vertetë:
“Kështu jemi ne.
Ndaj s’keni pse të na qani e as ta keni peng. E aq më tepër, të  prisni t’u shfaqemi si hije mesjetare, sipër pirgjesh a muzeumesh, për t’u kërkuar bijve të marrin gjak për ne. Ne kemi qënë etër të pamundur, ndaj s’mund të kishim veç gra, bij dhe bija të pamundura.
Mos vrisni mëndjen të gjeni ku gabuam. Ne jemi vetë pjellë e një gabimi në rendin e madh të botës. Dhe ashtu siç u pollëm gabimisht, në varganë të nëmur, njëri pas tjetrit, kush një hap më para, kush më pas, kush prijës e kush pasardhës, u vumë në rradhë, midis shkrumbit e gjakut, për të mbërritur tek ju…”

Kështu pra, në zbrazëtirën e shpirtërave të tyre, këta plehra nuk njohin as vëlla e as motër. Do na duhet ne që ta pastrojmë vendin tonë nga plehrat, e ndoshta ti zbrazim ato në zbrazëtirën e shpirtërave që ende shtyhen në rradhë për të zotëruar pak më shumë makutëri…