Në një vend ku, Bashkia robotike, e kryesuar nga Edi Rama që mban dhe kungullin e kryetarit të Partisë Socialiste në krahun e tij të dytë, është e angazhuar me sa duket të hedhë valle nëpër rrugët e pakalueshme të kryeqytetit e kapur dorë për dore me kryeministrinë-terminatore, e cila udhëhiqet nga Sali Berisha i cili nga ana e tij nuk mendon për gjë tjetër vaçse të restaurojë plotësisht rendin e vjetër të aristokracisë fisnore (organizimi shoqëror i rreth 2500 viteve më parë), të dalësh nga pallatet-konserva, e të përballesh me merimangat qiell-prishëse çdo ditë, për nga performanca ia kalon edhe filmave 3-D të hollywoodit.
Mirëpo kjo është një shfaqe e dhunshme, që brenda një filmi mund të zgjasë pak minuta. Provojeni ti vini syzet 3-D për vite e vite rradhazi ndonjë aktori hollywoody, e me siguri do të vërejme se si ai do të fillojë të hajë fara.
Sigurisht që vendi i atraksionit turistik të vitit, rrezikon të shndërrohet në një arenë cirku, ku ne vendasit jemi pelivanët, ndërsa turistët spektatorët me pagesë. Fakti që shumica dërrmuse e tyre (pra e turistëve) kanë filluar të “sorrollaten” nëpër qytete, duke fotografuar këto pamje apokaliptike, nuk na nderon hiç. Them “sorrollaten” sepse ndrrimi i destinacionit nga vendet e përshtatshme turistike në pamjet sa të habitshme aq dhe tragjike i ngjan vërtet një matamorfoze turistike, ndërsa nga ana tjetër, ne vendasit, me tërë mend që kemi kushte të shkëlqyera për tu stërvitur si pelivanë.
Kjo estetikë e pështirë vizuale, që mbështjell qiejt tanë, do të ishte mire të kthehej shpejt në një abstraksion fatkeq, e si i tillë të futej nëntokë.
Ndërsa eci rrugëve të qytetit nën rrezet e diellit të përthyera keq nga merimangat qiell-prishëse, ëndërroj nganjëherë të isha njeriu-merimangë, ose ndonjë sms, e nëpërmjet telave t’u jepja kumtin “hyjnive”; faljani o zotër, se s’dinë ç’bëjnë. Mirëpo me sa duket vetë natyra ka preferuar t’u japë të drejtën disa”majmunëve” që tërë atë proçes të gjatë që ajo ndërmori për shndërrimin e majmunit në njeri, ata ta ç’bëjnë në çast. Atëhere nuk na ngelet gjë tjetër veçse duke u ngrohur në diell, nën survejimin e heshtur të telave, të ëndërrojmë edhe ne për ndonjë turist zemërmirë, që duke shëtitur buzagaz, të na dhurojë ndonjë banane, ose akoma dhe më mire, ndonjë qese me karamele.